Tirane 06. 06. 2010 (Rivleresimi apo rishikimi pas një viti) Titulli: astma bronkiale



Yüklə 0,89 Mb.
səhifə3/15
tarix16.03.2017
ölçüsü0,89 Mb.
#11648
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   15

GJENDJA SOCIAL EKONOMIKE

Faktorët social-ekonomikë janë themelorë për kujdesin ndaj astmës, qoftë kur shihen nga perspektiva e individëve të sëmurë, e personelit shëndetësor ose e organizatave që japin ndihmë shëndetësore. Edhe pse qëllimi përfundimtar është perspektiva globale mbi faktorët ekonomikë, shumica e literaturës e kohëve të fundit pasqyron më shumë njohuritë e fituara në vendet e zhvilluara, sesa në vendet në zhvillim.

Të dhëna nga Qendra Amerikane Për Kontrollin Dhe Parandalimin E Sëmundjeve (CDC) pasqyrojnë problemet e sëmundjes që përjetojnë fëmijët me astmë të krahasuar me ata pa astmë. Kështu, nga një studim anketues shëndetësor kombëtar të vitit 1988 doli se fëmijët me astmë munguan në shkollë 10.1 milionë ditë (dy herë më shumë sesa fëmijët pa astmë) dhe patën 12.9 milionë kontakte me mjekët, si dhe 200 mijë shtrime në spital. Gjithashtu 30% e fëmijëve me astmë patën njëfarë kufizimi të aktivitetit fizik, duke e krahasuar vetëm me 5% të fëmijve pa astmë.

Në mjaft studime të bëra në Indi, Australi, ShBA dhe Angli mungesa në shkollë është dokumentuar si pasojë negative e astmës; ajo mund të pengojë formimin shkollor afatgjatë. Mungesat në shkollë mund të jenë një tregues i përafërt i ashpërsisë së astmës dhe mund të korrelojnë me ecurinë e mjekimit.

Kufizimi i aktivitetit fizik për shkak të astmës është raportuar në shumë studime. Formimi parashkollor dhe mundësitë për tu integruar në shoqërimund të dëmtohen në fëmijët e vegjël të paaftë për tu përfshirë në aktivitetet normale si pasojë e astmës. Një kontroll jo plotësisht optimal i astmës mund të çojë në humbjen e mundësive të aktivizimit gjatë gjithë fëmijërisë dhe të moshës së pjekurisë.

Në shumë vende, duke përfshirë Australinë, Suedinë dhe Anglinë, astma është dokumentuar si shkak madhor mungesash në punë. Por ka të ngjarë që raportet e nënvlerësojnë nivelin e vërtetë të mungesave të punonjësve për shkak të astmës. Të shqetësuar për sigurinë në punë, ata raportojnë se mungojnë për shkak të infeksioneve respiratore akute, në vend që të deklarojnë një problem shëndetësor kronik, siç është astma. Zgjedhja e vendit të punës mund të ndikohet nga astma dhe (akoma më keq) në mjaft rajone burimi i vetëm i punësimit mund të jetë një vend pune shumë i papërshtatshëm për astmatikët. Gjithashtu astma e pakontrolluar e një pjesëtari të familjes mund të ndikojë në gjendjen ekonomike të gjithë familjes. Koha e harxhuar për kujdesin ndaj të sëmurit dhe blerja e barnave, si edhe shpenzimet për mjekimet mund të shkaktojnë vështirësi për familje të tëra. Mjekimi efektiv i astmës jo vetëm e kthen të sëmurin në jetën normale, por i jep edhe përfitime ekonomike gjithë familjes.

Faktorët social-ekonomikë kanë lidhje me shkaqet e astmës, me mundësitë për mjekim dhe me ecurinë klinike, megjithëse lidhja mes këtyre faktorëve social-ekonomikë dhe astmës mund të ndryshojnë nga vendi në vend. Në vendet e zhvilluara jetesa brenda në qytet shoqërohet me një prevalencë të shtuar të simptomave të astmës. Shtëpitë me lagështirë, pak të ventiluara dhe me pluhura janë faktorë negativë mjedisorë, që shoqërohen me një gjendje ekonomike të ulët të njerëzve që jetojnë brenda në qytete në vendet e zhvilluara.

Studime të ndryshme në Meksikë, Amerikë, Angli, Gjermani dhe Australi tregojnë se shtresat e varfra dhe pakicat kanë prevalencë më të lartë të astmës, shkallë më të lartë vdekshmërie dhe sëmundshmërie, siç del dhe nga shtrimet në spital dhe vizitat në urgjencë.



Kostoja e astmës

Kostoja e mjekimit të astmës zë një pjesë të rëndësishme të të ardhurave familjare. Në ShBA kjo kosto shkon nga 5% deri në 14.5% të të ardhurave familjare. Për krahasim, në Indi kostoja e trajtimit të astmës përbën 9% të të ardhurave vjetore për individ.

Krahasimet e kostos së mjekimit të astmës ndërmjet krahinave të ndryshme çojnë në një sërë përfundimesh të qarta:

• Kujdesi parësor është më pak i kushtueshëm se kujdesi në spital;

• Mjekimi në urgjencë është më i kushtueshëm se mjekimi i planifikuar;

• Trajtimi nga infermieri/ja mund të jetë efektiv për sa i përket kostos;

• Familjet mund të vuajnë nga vështirësia financiare e trajtimit të astmës.

Në shume studime është parë se ka lidhje mes procesit të kujdesit shëndetësor dhe ecurisë ekonomike. Kujdesi parësor i astmës nga një infermier/ e i/e stërvitur për astmën mund ta përmirësojë ecurinë dhe, si rrjedhim, ti reduktojë shpenzimet shëndetësore. Kostoja e mjekimit të krizave astmatike është shumë më e madhe se kostoja e trajtimit parandalues.



Politika shëndetësore

Astma është një sëmundje e trajtueshme dhe e parandalueshme. Megjithëse kostoja e parandalimit të astmës duket e lartë, kostoja e mostrajtimit të saj korrekt është edhe më e lartë. Trajtimi i duhur i sëmundjes paraqet një sfidë për individët, për profesionistët e shëndetësisë, për organizatat shëndetësore, si dhe për qeveritë.

Kapitujt e tjerë në këtë dokument përqendrohen mbi strategjitë për kujdesin ndaj astmës, që mund të përshtaten nga individë dhe nga personeli shëndetësor. Por, për ta minimizuar barrën shoqërore dhe ekonomike të astmës, duhet vepruar gjithashtu edhe nga ana e organizatave shëndetësore dhe agjencive publike.

Ja disa nga rrugët nëpërmjet të cilave qeveritë dhe organizatat shëndetësore mund të ndikojnë në këtë drejtim:

-Të inkurajojnë kudjesin parësor për menaxhimin e astmës;

-Të inkurajojnë përdorimin e mjekimeve parandaluese (preventive);

-Të mbikëqyrin problemet kryesore të astmës dhe ecurinë e saj;

-Ti japin prioritet astmës në shërbimin shëndetësor.

Eshtë e qartë se barra globale kryesore e astmës mund të reduktohet dukshëm me anë të përpjekjeve të pacientëve, të personelit mjekësor, organizatave shëndetësore dhe qeverive lokale e kombëtare.
3 FAKTORET E RREZIKUT
Në faktorët e rrezikut të astmës (Tabela 3.1) bëjnë pjesë: 1-faktorët personalë, të cilët ndikojnë në zhvillimin e astmës; 2-faktorët e mjedisit, të cilët në individë të predispozuar mund të ndikojnë në shfaqjen e astmës, në përkeqësimin e saj dhe/ose në persistencën e simptomave.

Faktorët personalë përfshijnë predispozitën gjenetike për të pasur astmë apo një ndjeshmeri alergjike (p.sh. atopi, e përcaktuar si prodhim jonormal i IgE-së, ndaj alergenëve mjedisorë). Gjithashtu ato përfshijnë mbindjeshmërinë e rrugeve të frymëmarrjes,obezitetin gjininë dhe racën.

Faktorët mjedisorë e modifikojnë predispozicionin gjenetik, duke ndikuar në shfaqien e astmës kryesisht në individë të predispozuar. Në këta faktorë përfshihen alergenët, materialet sintetike, tymi i duhanit, ndotja e ajrit, infeksionet virale të rrugëve të frymëmarrjes, dieta, gjendja socioekonomike dhe madhësia e familjes. Disa nga faktorët mjedisorë mund të ndikojnë mbi përkeqësimin e astmës (faktorët precipitues).

Faktorë personalë



  • Predispozita gjenetike

  • Atopia

  • Mbindjeshmëria e rrugëve të frymëmarrjes

  • Gjinia

  • Raca /përkatësia etnike


Faktorët mjedisorë

a- Faktorët që ndikojnë mbi rritjen e ndjeshmërisë për të zhvilluar astmë në individët e predispozuar

• Alergenët brenda shtëpisë

-Akarienet e shtëpisë -Alergenët shtazorë -Alergenët e furrtares -Kërpudhat, mykrat dhe majaja

• Alergenët jashtë shtëpisë

-Polenet -Kërpudhat, mykrat, majaja


  • Sensibilizuesit profesionalë

  • Tymi i duhanit

-Duhanpirja pasive -Duhanpirja aktive

• Ndotja e ajrit

-Ndotës atmosferikë -Ndotës shtëpiakë

• Infeksionet respiratore

-Hipoteza e higjienës



  • Infeksionet nga parazitët

  • Gjendja social-ekonomike

  • Madhësia e familjes

  • Dieta dhe medikamentet

  • Obeziteti


b- Faktorët që precipitojnë acarimin e astmës dhe/ose shkaktojnë persistencën e simptomave

• Alergenët e brendshëm

ose të jashtëm (shih më lart)

• Ndotës ajri të jashtëm dhe

të brendshëm


  • Ndryshimet e motit

  • Dioksidi i squfurit

  • Ushqimet, konservantët, barnat

  • Emocionet e forta

  • Tymi i duhanit (pasiv dhe aktiv)

  • Irritues, si: llojet e ndryshme të sprajeve të shtëpisë ose të bojërave

Tabela 3-1: Faktorët e mundshëm të rrezikut për astmën
FAKTORËT PERSONALË

Predispozicioni gjenetik për zhvillimin e astmës

Sot ka të dhëna të mjaftueshme për të treguar se astma është një sëmundje e trashëgueshme. Një numër studimesh kanë treguar një rritje të prevalencës së astmës dhe të fenotipit astmatik te të sapolindurit e individëve që vuajnë nga astma, duke i krahasur me të sapolindurit nga prindër që nuk vuajnë nga astma. Fenotipi astmatik mund të indentifikohet me të dhëna subjektive (p.sh. me shenjat e sëmundjes), me të dhëna objektive (nëpërmjet matjes së mbindjeshmërisë bronkiale ose nivelit të IgE-së në serum), ose me të dyja mënyrat së bashku.

Mjaft studime familjare kanë treguar bindshëm se atopia, mbindjeshmëria e rrugëve të frymëmarrjes dhe astma e diagnostikuar me pyetësorë janë, së paku pjesërisht, nën kontrollin gjenetik. Studime të realizuara në binjakë kanë vërtetuar se përqindja e astmës, e ekzemës dhe e alergjisë nga barërat është më e lartë në fëmijët monozigotë sesa në ata dizigotë, duke e bërë të qartë forcën e kontributit gjenetik. Në studimet e bazuara në binjakë vlerësohet se efekti i faktorëve gjenetikë është 35-70 %.

Pavarësisht nga përparimi i biologjisë molekuare dhe i gjenetikës, nuk është gjetur asnjë gjen (ose gjene) i sigurt, i lidhur me trashëgiminë e atopisë ose të astmës. Rezultatet e studimeve të ndryshme sugjerojnë se në patogjenezën e astmës mund të përfshihen gjene të shumta dhe se ka rajone kromozomike që mund të strehojnë gjene predispozuese të astmës (p.sh. kontrolli gjenetik i

përgjigjes imune apo i citokinave proinflamatore).

Atopia

Atopia, e përcaktuar si një prodhim jonormal i antitrupave IgE pas kontaktit me alergenët e ambientit, shfaqet me rritjen e IgE-totale ose specifike në serum dhe me përgjigje pozitive ndaj testeve alergjike të lekures, duke përdorur një bateri me alergenë standardë, specifikë për çdo zonë gjeografike.

Atopia duket se është një faktor i rëndësishëm personal, që i bën individët të predispozuar ndaj zhvillimit të astmës. Të dhënat epidemiologjike tregojnë se, në raport me popullsinë, rastet e astmës që i atribuohen atopisë, shkojnë mbi 50%. Lidhja e ndjeshmërisë ndaj alergenëve dhe astmës varet nga mosha. Në të vërtetë, në pjesën më të madhe të fëmijëve që sensibilizohen ndaj alergenëve respiratorë gjatë 3 viteve të para të jetës, më vonë do të zhvillohet astma, kurse te fëmijët që sensibilizohen pas 8 ose 10 vjetësh, rreziku për zhvillimin e astmës është i njëjtë me atë të fëmijëve që nuk janë të sensibilizuar. Ndonëse atopia është faktori më i rëndësishëm për shfaqjen e sëmundjes, ajo duhet konsideruar vetëm si një nga faktorët.

Sëmundjet atopike kanë shfaqje familjare. Në mjaft studime janë përshkruar shumë raste familjare të astmës, të shoqëruara me fenotipa me hiperreaktivitet të rrugëve respiratore apo/dhe nivele të rritura të IgE-totale.

Studimet mbi familjen sugjerojnë që gjendja atopike e një personi pa astmë nuk ndikon si rrezik për astmën te të afërmit e tjerë. Por prania e atopisë te të sëmurët me astmë e rrit mundësinë e zhvillimit të astmës te të afërmit. Kështu, pavarësisht se astma dhe atopia trashëgohen në mënyrë të pavarur, shoqërimi i astmës me atopinë, ose shfaqjet atopike (p.sh. ekzema) në një individ e rrisin shumë mundësinë e shfaqjes së astmës te ndonjë nga të afërmit e tij/saj). Pra, rritet mjaft rreziku që prindër atopikë me astmë të lindin fëmijë me astmë, kur në historinë e kësaj familje astma është shoqëruar me atopinë. Në mënyrë të ngjashme kur hiperndjeshmëria bronkiale dhe atopia janë të pranishme te prindërit, rritet mundësia e zhvillimit të astmës te pasardhësit.



Hiperreaktiviteti i rrugëve të frymëmarrjes

Një faktor rrezikshmërie i astmës është hiperreaktiviteti i rrugëve të frymëmarrjes, një gjendje në të cilën një stimul provokues në rrugët e frymëmarrjes shkakton me lehtësi një obstruksion shumë të shprehur bronkial. Kjo gjendje ka një komponent të trashëgueshëm dhe është e lidhur ngushtë me nivelet e IgE-ve në serum dhe me inflamacionin e rrugëve të frymëmarrjes. Tendenca për të prodhuar një nivel më të lartë të IgE-totale serike është e bashkëtrashëguar me hiperreaktivitetin e rrugëve të frymëmarrjes dhe një gjen që drejton hiperndjeshmërinë bronkiale dhe ndodhet i vendosur pranë një lokusi kryesor që rregullon nivelet serike të IgEve në kromozomin 5q.

Hiperreaktiviteti asimptomatik i rrugëve të frymëmarrjes ndaj histaminës është një faktor rreziku për zhvillimin e astmës.

Hiperndjeshmëria asimptomatike në rrugët e frymëmarrjes lidhet me inflamacionin dhe rimodelimin e rrugëve të frymëmarrjes, duke sugjeruar që inflamacioni i rrugëve të frymëmarrjes mund t i paraprijë fillimit të astmës.


Gjinia dhe astma

Astma në fëmijëri është më e shpeshtë te djemtë sesa te vajzat. Kjo mund të lidhet me praninë e rrugëve më të ngushta të ajrit te djemtë, me një rritje të tonusit të rrugëve respiratore dhe ndoshta me një hiper-IgE, që i predispozojnë djemtë për ngushtim të rrugëve të ajrit ndaj ngacmuesve të ndryshëm. Ky ndryshim zhduket pas moshës 10-vjeçare, kur raporti diametër/ gjatësi i bronkeve është i njëjtë për të dy sekset, ndoshta për shkak të ndryshimeve të masës së toraksit gjatë pubertetit te meshkujt, por jo te femrat.

Gjatë dhe pas pubertetit femratpreken më shumë me astmë. Është interesante se astma e provokuar nga aspirina është më e përhapur te femrat.

Raca/etnia dhe astma

Pjesa më e madhe e të dhënave tregojnë se ndryshimet e dukshme raciale dhe etnike në përhapjen e astmës kanë si shkak kryesor faktorët social-ekonomikë dhe mjedisorë. Studimet me emigrantët sugjerojnë se njerëz të racave të ndryshme mund të mbartin rrezikun e popullsisë ku lëvizin. Kështu, përhapja e fishkëllimës së gjoksit është e njëjtë mes fëmijëve të racave të ndryshme, që jetojnë në Londër dhe atyre që jetojnë Australi. Në fëmijët zezakë ka një përhapje më të madhe të fishkëllimës së gjoksit sesa te të bardhët që jetojnë në Amerikë, si pasojë e faktorëve social-ekonomikë dhe mjedisorë (ekspozimeve alergjike dhe faktorëve dietetikë më shumë sesa racorë).


FAKTORËT MJEDISORË

Faktorët mjedisorë që ndikojnë në ndjeshmërinë e indivicëve të predispozuar për të zhvilluar astmë.

Alergenët dhe sensibilizuesit profesionalë

Alergenët dhe sensibilizuesit profesionalë konsiderohen si shkaktarët më të rëndësishëm të astmës. Kjo nënkupton se në fillim sensibilizohen rrugët ajrore dhe më pas shfaqet astma aktive, duke shkaktuar kriza të astmës ose duke çuar në persistencën e shenjave të astmës.

Ekspozimi ndaj alergenëve është një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e ndjeshmërisë atopike ndaj alergenit specifik. Ekspozimi i individëve të ndjeshëm ndaj alergenëve është një faktor rreziku për keqësimin e astmës dhe/ose vazhdimin e simptomave të saj. Si rrjedhim, ekspozimi ndaj alergenëve është shkaku i astmës ose, të paktën, për shfaqjen ose për vazhdimin e saj. është vënë re një lidhje reciproke mes ekspozimit ndaj alergenëve dhe përhapjes së astmës, si dhe një përmirësim i astmës pas ndërprerjes së ekspozimit ndaj alergenëve. Fakti që ekspozimi ndaj alergenëve mund ta keqësojë astmën ose të shkaktojë persistencën e simptomave (reaksioni alergen - IgEspecifike), thjesht mund të përfaqësojë një nga mekanizmat e shumtë, të cilët ndikojnë në keqësimin e astmës ose në mbajtjen e një inflamacioni kronik të rrugëve ajrore dhe simptomave të astmës, pa shkaktuar një astmë të re.

Prania e të paktën disa formave të astmës profesionale ose mjedisore vetëm në personat e ekspozuar, të bën të mendosh që disa substanca (ndaj të cilave një person bëhet i ndjeshëm) mund të shkaktojnë zhvillimin e astmës. Kështu p.sh., fakti se në Barcelonë u panë epidemi të përkeqësimit të astmës gjatë ditëve kur shkarkohej soja, e rriten bindjen se sasi të vogla alergeni ajror mund të shkaktojnë ndryshime te rëndësishme në mushkëritë e njerëzve të sensibilizuar. Fakti se ata që u paraqitën në spital, ishin pothuajse të gjithë atopikë dhe alergjikë ndaj pluhurit, tregoi se sensibilizimi, kur alergeni është mjaft i fuqishëm, mund të ndodhë edhe në përqendrime të ulëta atmosferike.

Ka të dhëna që ekspozimi ndaj alergenëve dhe/ose lëndëve kimike mund të shkaktojë me të vërtetë astmë, veçanërisht nëse agjenti sensibilizues është i fuqishëm. Shembujt historikë kanë treguar se në shumicën e personave (për të mos thënë gati në të gjithë) të ekspozuar ndaj kripërave të platinit dhe enzimave biologjike në punë, është zhvilluar astma. Në një studim 5vjeçar në 277 punëtorë të punësuar në një ndërmarrje të prodhimit të toluen disocianate, inçidenca e rasteve të reja të astmës profesionale të identifikuara ishte mbi 5%.

Alergenët e brendshëm

Alergenët e brendshëm përfshijnë: akarienet shtëpiake (pluhuri i shtëpisë), alergenët shtazorë, alergenët nga furrtarja dhe kërpudhat. Sot në vendet e zhvilluara, janë shtuar alergenët e brendshëm, pasi shtëpitë janë më të izoluara për të zvogëluar humbjen e energjisë, ndërsa tapetet, nxehtësia, lagështia i kanë bërë këto ambiente një vendbanim ideal për akarienet, furrtaret, insektet e tjera dhe bakteriet.



Akarienet e pluhurit të shtëpisë

Edhe pse alergenët e akarieneve transportohen në pjesëza tepër të mëdha, të dhënat sugjerojnë se akarienet janë alergenët e brendshëm më të zakonshëm të astmës. Në përbërjen e pluhurit të shtëpisë ndodhen substanca të ndryshme organike dhe inorganike, si: sporet, grimcat e pjalmit, insektet dhe feçet e tyre; pleshtat e gjitarëve, akarienet.

Alergenët e akarieneve janë të pranishëm në pjesë të ndryshme të trupit të akarieneve. Sekrecionet dhe jashtëqitjet e tyre përbëjnë burimin kryesor të alergenëve me origjinë nga pluhurat.

Speciet kryesore shtëpiake të akarieneve janë ato piroglifide, dermatophagoides pteronyssinus, D.farinae, D.microceras, euroglyphus mainei, të cilat zakonisht përbëjnë 90% të akarieneve në pluhurat e shtëpisë në rajonet me klimë të butë. Akarienet ushqehen në mjediset humane dhe shtazore të kolonizuara nga mikrokërpudhat, mykrat dhe bakteriet. Akarienet mund të gjenden në dysheme dhe tentojnë të futen thellë në tapete, dyshekë dhe në objektet e buta. Kushtet për rritjen e tyre janë temperatura midis 22ºC dhe 26ºC dhe një lagështi relative mbi 55%.



D.pteronyssinus është akarieni kryesor në vendet me klimë të lagësht; D.farinae mbijeton më mirë në klimë më të thatë dhe është akarieni më i shpeshtë në vendet me dimër të gjatë dhe të thatë.

Përveç akarieneve piroglifide, në pluhurin e shtëpisë, janë gjetur specie ta tjera akarienesh, që mund të cilësohen akariene shtëpiake. Këto përfshijnë akarienet e stokazhit, të cilat rriten në produktet e magazinuara ushqimore dhe që kërkojnë ushqim të bollshëm dhe lagështi të lartë për mbijetesë. Speciet më të zakonshme u përkasin gjinive të



tyrophagus, glycyphagus, acarus, lepidoglyphus, cortoglyphus.

Alergenët e akarieneve shtëpiake janë identifikuar si cisteinë proteaza (alergenët e grupit 1: Dp 1, Df 1, D.microceras 1); serinë proteaza (alergenët e grupit 3); amilaza (alergenët e grupit 4). Këto enzima janë gjetur në fekalet e akarieneve. Alergenët e grupit 2 vijnë kryesisht nga trupi i akarieneve, sesa nga feçet e tyre. (Dp 2,Df 2). Alergenët kryesorë në pluhurin e shtëpisë janë nga grupi 1 dhe 3, dhe më pak alergenë nga grupi 2. Alergenët më të rëndësishëm të akarieneve kanë aktivitet proteolitik dhe për këtë arsye mund të hyjnë më lehtë në qelizat imunokompetente.

Përqendrimi i alergenit të akarienit D.ptero mbi 0.5µg për 1 gram pluhur duket se është një faktor i rëndësishëm rreziku për alergjinë nga akarienet. Nuk është përcaktuar qartë cili është niveli për pragun e provokimit të simptomave të astmës.

Alergenët shtazorë

Kafshët e shtëpisë me gjak të ngrohtë çlirojnë alergenë me anë të sekrecioneve (pështyma) dhe të ekskrecioneve (p.sh. urina).



Macet -alergenët e maces janë agjentë të fuqishëm sensibilizues të rrugëve të kalimit të ajrit. Proteina kryesore alergjike (Fel d1) gjendet në lëkurën e maces, në djersën dhe në urinën e saj. Ky alergen transportohet në pjesëza të vogla rreth 3-4 mikronë diametër, të cilat bëhen lehtësisht të transportueshme nga ajri dhe janë përgjegjëse për shfaqjen e shpejtë të simptomave respiratore në personat e sensibilizuar nga macet. Ekspozimi i hershëm ndaj maceve më tepër mund ta ulë, sesa ta rrisë rrezikun e femijës për zhvillimin e astmës, ndërsa alergenët e maceve mund të përbëjnë një faktor rreziku për rëndimin e astmës dhe vizitat në urgjencë.

Vendet publike -spitalet, kinematë dhe transporti publik- mund të përmbajnë proteina alergjike të mjaftueshme për të shkaktuar simptomat klinike në individët shumë të sensibilizuar. Rrobat e zotëruesit të maces përbëjnë mjetin e transportit pasiv të Fel d1 në mjediset ku nuk ka mace.



Qentë - prodhojnë dy proteina të rëndësishme alergjike: Can f1 dhe Can f2. Karakteristikat e alergenëve të qenve janë të ngjashme me ato të alergenëve të maceve. Mbi 30% e individëve alergjikë i kanë pozitive testet e lëkurës për ekstraktet e qenve.

Brejtësit - shumë fëmijë i mbajnë brejtësit në shtëpi dhe ka vende brenda në qytete ku ka edhe minj të egër dhe minj të ujit. Alergeniciteti i antigeneve të brejtësve njihet mirë në ata që merren me kafshët, të cilët sensibilizohen nga proteinat urinare.

Furrtaret - në disa vende dhe mes disa grupeve etnike sensibilizimi nga alergenët e furrtareve mund të jetë po aq i zakonshëm sa sensibilizimi nga alergenët e akarieneve të shtëpisë. Shumica e specieve të furrtareve jetojnë në klimë tropikale. Speciet më të zakonshme janë: furrtaret gjermane (blatella germanica), furrtaret aziatike (B.orientalis), furrtaret australiane (P.australasiae). Gjithashtu janë tipizuar alergenët nga furrtaret gjermane dhe amerikane, ndërsa prania e tyre në pluhurin e shtëpisë mund të matet duke përdorur antitrupat specifikë monoklonalë.

Mykrat - mund të veprojnë si alergenë të brendshëm të transportueshëm nga ajri. Ndërmjet këtyre është alternaria, e cila është një faktor i vërtetuar rreziku për astmën në popullata të ndryshme dhe që në ShBA është shoqëruar me rrezikshmërinë për vdekje nga astma.

Kërpudhat -vendet e errëta, me lagështi dhe pak të ventiluara janë optimale për rritjen e tyre. Kërpudhat rriten mirë brenda sistemeve që përdoren për freskim, ngrohje dhe lagështim në shtëpi, duke përbërë një rrezik të veçantë për kontaminimin e ajrit. Kërpudhat e brendshme më të zakonshme janë: penicillium, aspergillus, alternaria, cladosporium, candida.

Alergenët e jashtëm

Alergenët e jashtëm më të zakonshëm që mund të çojnë në astmë në njerëzit e predispozuar, janë polenet dhe kërpudhat.



Polenet

Alergenët e poleneve që shoqërojnë astmën, vijnë kryesisht nga pemët, bari dhe barishtet e këqija. Nga polenet çlirohen pjesëza me përmasat e mikronit nga granulat e amidonit, sidomos pas shiut, të cilat mendohet se janë përgjegjëse për krizat e astmës nga polenet. Përqendrimi i poleneve në ajër ndryshon në varësi të lokalizimit dhe të kushteve atmosferike, por në përgjithësi polenet e pemëve mbizotërojnë në fillim të pranverës; polenet e barërave në fund të pranverës (prill-maj) dhe në verë, ndërsa polenet e shkureve gjatë verës dhe vjeshtës.

Studimet klinike dhe aerobiologjike kanë treguar se hartat e poleneve po ndryshojnë si rezultat i faktorëve kulturorë (p.sh. importimi i bimëve për parqet urbane) dhe më tepër nga lëvizjet ndërkombëtare. Përqendrimet e Lol p1 (alergeni kryesor nga egjra, lolium) mbi 10 µg/g në pluhurin e shtëpisë, shoqërohet me epidemi të krizave të astmës, me shtim të simptomave, me shtim të hiperndjeshmërisë së rrugëve të kalimit të ajrit dhe me inflamacion të tyre.


Yüklə 0,89 Mb.

Dostları ilə paylaş:
1   2   3   4   5   6   7   8   9   ...   15




Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©azkurs.org 2024
rəhbərliyinə müraciət

gir | qeydiyyatdan keç
    Ana səhifə


yükləyin