6. EDUKIMI DHE KUJDESI
Diagnostikimi i saktë dhe menaxhimi i astmës, si dhe përdorimi korrekt i kurave të duhura, janë çështje që lidhen drejtpërdrejt me formimin e personelit mjekësor dhe të pacientëve të tyre. Fillimisht disa nga metodat e rekomanduara në këtë kapitull mund të duken të shtrenjta, por në fund ato dalin më të lira dhe e ulin koston e trajtimit. Për të arritur një kurim sa më frytdhënës, janë të domosdoshme këto kushte:
1) Një numër i mjaftueshëm mjekësh të mirëarsimuar, me qëllim që të arrijnë tu japin ndihmën maksimale pacientëve;
2) Astma duhet diagnostikuar saktësisht; duhet vlerësuar graviteti I sëmundjes dhe të jepen mjekimet e duhura;
3) Qeveritë duhet të vënë në dispozicion para të mjaftueshme që të sigurojnë mjekimet për astmën;
4) Pacientët duhet të kuptojnë përdorimin e mjekimeve të astmës, për të përfituar sa më shumë.
Mosdiagnostikimi në kohë i astmës ndodh për shkak se pacienti me simptoma bronkiale e nënvleftëson vizitën te mjeku; ky nënvleftësim e ka burimin te mungesa e informacionit për simptomat e astmës. Në raste të tjera nënvleftësohet graviteti i astmës, për pasojë dhe mjekimi parandalues nuk përdoret rregullisht.
Studimet te fëmijet dhe te të rriturit kanë treguar që vetëm 50% e pacientëve janë nën terapi parandaluese dhe e zbatojne këshillën e mjekut. Në anketime më të gjera një numër mjaft i madh njerëzish që vuajnë nga astma, tregojnë për shqetësime të herëpashershme të gjumit dhe një kufizim të aktivitetit të përditshëm. Këto mungesa mund të kenë pasoja serioze për pacientët me astmë të formës së rëndë. Një studim ka treguar se gati 74% e atyre që janë shtruar në spital me astmë të formës së rëndë, mund ta kishin shmangur shtrimin, nëse do ta kishin marrë mjekimin e duhur që më parë.
Për sa u përket vdekjeve nga astma, vëzhgimet tregojnë se në gati 90% të rasteve përfshihen faktorë plotësisht të shmangshëm. Studimet kanë treguar gjithashtu se 78% e atyre që kanë vdekur nga astma, kanë qenë të shtruar një herë në spital nga astma dhe 40% e tyre kanë qenë të shtruar 12 muaj para se të vdisnin. Pacientet që janë shtruar në spital nga astma, veçanërisht ata që kanë pasur nevojë për ventilim mekanik, duhet të konsiderohen me rrezik të lartë për vdekje nga astma. Informimi dhe të mësuarit e teknikave të vetëveprimit është tepër i rëndësishëm për këta pacientë, ndërkohë që mungesa e informacionit dhe paaftësia për të vetëvepruar mund ta rrisë mundësinë e shtrimit në spital te pacientët me astmë të pamjekuar mirë.
Informimi është një pjesë e rendësishme e kontrollit të astmës. Një skicë përmbledhëse e lidhjes që ka informimi me astmën jepet në tabelën 6-1. Informimi përfshin informimin për parandalimin fillestar, për parandalimin dytësor dhe për kontrollin e astmës.
Tabela 6-1: Informimi: një pjesë thelbësore e kontrollit të astmës
Pse duhet të informohemi
Mirë informimi mund ta ulë sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë; nuk i shkëput njerëzit nga puna apo shkolla dhe ul shpenzimet shëndetësore (veçanërisht nëse shmanget shtrimi në spital), gjithashtu ul dhe kostot indirekte.
Kush ka nevojë për informacion
• Politikanët dhe ata që planifikojnë buxhetet, sepse kështu i japin perparësi astmës dhe kjo gjë ndikon mbi organizimin e mirë të shërbimit mjekësor
• Profesionistët: mjekët, infermierët, farmacistët, studentët e mjekësisë
• Mësuesit e shkollave publike,punëdhënësit dhe trajnerët
• Pacientët (familjarët dhe gjithë të afërmit e tyre)
Cilat janë temat që duhet të përfshijë informacioni
-
Informacion për përmbajtjen e udhëzuesit praktik klinik
-
Informacion për diagnozën
-
Informacion për parandalimin e acarimit dhe përkeqësimin e funsionit të mushkërisë
-
Stërvitje për vetëtrajtimin e sëmundjes
-
Aftësim për të njohur acarimin e astmës
-
Njohuri për mjekimet e ndryshme
-
Trajnimi për të mësuar si duhen përdorur pompat dhe matësit e fluksit ekspirator
Si të informojmë
-
Informohet personeli shëndetësor dhe u theksohet rëndësia e trajtimit parandalues, d.m.th. të trajtosh astmën, që të prandalosh simptomat dhe përkeqësimin e gjendjes
-
Informimi i pacientit përshin:
-dhënie informacioni dhe përvetësim teknikash
-
Komunikimi dhe vendosja e marrëdhënieve të mira mjekpacient janë mënyra e vetme për të kapërcyer barrierat e edukimit
-
Monitorimi, kontrolli dhe aplikimi i standardeve janë pjesë thelbësore të këtij procesi dhe përgjegjësia për to bie mbi zyrtarët dhe mbi organizatat e profesionistëve
Ku të edukojmë
• Informimi i mjekëve dhe i profesionistëve të tjerë të mjekësisë bëhet nëpër shkolla, por edhe nëpër kurse të vazhdueshme
• Informimi i një publiku më të gjerë bëhet nëpërmjet masmedias (artikujve në gazeta e revista, programeve në televizon)
• Informimi i pacientëve është një proces që vazhdon dhe përfshin edhe rishikime, dhe riforcime në çdo takim me një punonjës të kujdesit shëndetësor
ORGANIZIMI DHE ARSIMIMI I PROFESIONISTËVE
Për të ndërtuar një organizatë profesionistësh të mirëarsimuar brenda një vendi apo brenda një rajoni (qarku), së pari duhet krijuar një skuadër planifikimi. Anëtarë të mundshëm të kësaj skuadre jepen në Tabela 6-2.
Tabela 6-2: Anëtarë të mundshëm të një skuadre planifikimi për astmën
Drejtuesit e shëndetësisë
Alergologë
Mjekë të shëndetit parësor
Farmacistë
Mjekët e familjes
Infermierë
Pneumolog
Specialistët e arsimit shëndetësor
Pediatër
Grupe që përkrahin pacientët
Udhëzuesit
Udhëzuesit për trajtimin e astmës përshtaten për përdorim lokal nga ekipet e menaxhimit të astmës, si nga punonjësit e shërbimit parësor dhe ata të shërbimit dytësor. Ata përdoren për tu siguruar që çdo anëtar i ekipit është i ndërgjegjshëm për qëllimet e trajtimit dhe për mënyrat e ndryshme se si mund të arrihen këto qëllime. Gjithashtu udhëzuesit ndihmojnë për të vendosur standarde në kujdesin klinik dhe mund të shërbejnë si baza për kontroll, edhe si pika nisjeje për formimin e punonjësve të shëndetësisë.
Vetëm udhëzuesit -qofshin kombëtarë apo ndërkombëtarë-nuk mund ta ulin nivelin e sëmundshmërisë së astmës. Ata bëhen më efektivë kur u prezantohen dhe diskutohen mes profesionistëve, një proces që kërkon kohë, por që është i domosdoshëm.
Në tabelën 6-3 jepen disa pyetje të rëndësishme, që duhet ti drejtohen pacientit për të marrë sa më shumë informacion mbi historikun e sëmundjes së tij.
Tabela 6-3: Pyetjet kyçe për vlerësimin e astmës
A është astmë?
Pyet pacientin ose prindërit e tij:
• Pacienti a ka pasur ndonjëherë atak, apo atake të përsëritura fishkëllimash?
Kërko për astmë.
A ka kollë të mundimshme gjatë natës?
Kërko për astmë.
• A ka kollë apo fishkëllima mbas efortit?
Kërko për astmë.
• A ka kollë, fishkëllima apo shtrëngim në gjoks pas ekspozimit ndaj alergenëve inhalatorë ose ndotësve të ajrit?
Kërko për astmë.
• E ftohura “a i kalon në gjoks” ose a i zgjat më shumë se 10 ditë?
Kërko për astmë.
• A përdor mjekim kundër astmës (sa shpesh?)
Kërko për astmë.
Nëse pacienti u përgjigjet “po” ndonjërës prej këtyre pyetjeve, ai mund të ketë astmë. Megjithatë duhet pasur parasysh se shkaqe të shfaqjes së simptomave respiratore mund të jenë edhe: embolia pulmonare, sëmundjet e zemrës ose anemia.
Edukimi i pacientit
Qëllimi i edukimit të pacientit, i cili është një proces i vazhdueshëm, është ti sigurojë pacientit me astmë dhe familjes së tij një informacion dhe trajnim të përshtatshëm; pacienti të mund ta mbajë dhe ta korrigjojë trajtimin në bazë te një plan-mjekimi të parapërgatitur nga mjeku.
Është e rëndësishme që të vendoset një mirëkuptim i vazhdueshëm mes mjekut, pacientit dhe familjes së tij.
Edukimi pacientit ka për qëllim:
-Ta përmiresojë të kuptuarin;
-Ti përmirësojë teknikat;
-Ta rrisë kënaqësinë;
-Ta rrisë vetëbesimin;
-Ta rrisë vetëmenaxhimin e sëmundjes.
Edukimi-bazë duhet të jepet gjatë disa konsultave. Edukimi duhet tu ofrohet pacientëve të të gjitha moshave. Megjithëse për fëmijët e vegjël edukimi duhet të përqendrohet mbi prindërit, fëmijët e moshës 3-vjeçare duhet të aftësohen me teknikat e thjeshta të trajtimit të astmës. Tabela 6-4 tregon çfarë duhet të evitojë pacienti për ta parandaluar përkeqësimin e astmës.
Tabela 6-4: Parandalimi: Çduhet të evitojë pacienti.
Përmirësimi i bashkëpunimit
Studimet te fëmijët dhe adultët kanë treguar se mungesa e bashkëpunimit luhatet në rreth 50%, me gjithë marrjen e rregullt të terapisë parandaluese. Mungesa e bashkëpunimit mund të përkufizohet në mënyrë jo të drejtë si dështim i marrjes së mjekimit, për të cilin është rënë dakord midis mjekut dhe pacientit. Medikamenti specifik dhe faktorët jomedikamentozë të përfshirë në mungesën e bashkëpunimit paraqiten në Tabelën 6-5. Komunikimi mund të përmiresohet:
-
Nëse pacienti e pranon diagnozën e astmës;
-
Nëse pacienti beson se astma mund të jetë problematike ose e rrezikshme;
-
Nëse pacienti beson se është i rrezikuar;
-
Nëse pacienti beson se trajtimi eshtë i parrezikshëm;
-
Nëse pacienti e ndien se është nën kontroll;
-
Nëse ka një komunikim të mirë mjek-pacient.
Tabela 6-5: Faktorët e mungesës së bashkëpunimit
Faktorë të lidhur me medikamentin
-Vështirësi në përdorimin e aparatit inhalator
-Përdorimi i papërshtatshëm (p.sh. 4 herë nëditë dhe barna të shumtë)
- Efektet anësore
- Kostoja e mjekimit
- Mospëlqimi i mjekimit
- Largësia e farmaciveFaktorë që nuk lidhen me medikamentin
- Moskuptimi ose mosdhënia e udhëzimeve
- Frika mbi efektet anësore
- Moskomunikimi i mirë me personelin mjekësor -Frika dhe shqetësimet e pashprehura ose të padiskutuara me mjekun
- Ndodhi të papritura
- Mbikqyrje, trajnim ose ndjekje e pamjaftueshme -Zemërimi me sëmundjen dhe me trajtimin e
saj
-Nënvlerësimi i rëndimit të sëmundjes
- Formimi kulturor
- Stigmatizimi -Harresa ose vetëkënaqësia -Qëndrimi mbi problemet shëndetësore
- Edukimi fetar
Edukimi i personelit mjekësor me aftësi më të mira komunikuese ndikon ndjeshëm në gjendjen e pacientit, që ai të mbetet i kënaqur; në uljen e nevojës për ndihmë mjekësore, shëndet më të mirë, duke mos e shtuar kohën e konsultave.
Metodat e dhënies së informacionit
-
Pacientët mund të marrin informacion rreth astmës dhe trajtimit të saj nëpërmjet:
-
Këshillimit me personelin mjekësor;
-
Leximit të librave, shikimit të videove, dëgjimit të audiokasetave;
-
Ndjekjes së një kursi edukimi mbi astmën;
-
Ndjekjës së një takimi publik apo një grupi ndihmës për të në mënyrë që të mësojë nga pacientët etjerë me astmë;
-
Leximit të artikujve në revista apo gazeta;
-
Ndjekjes së programeve televizive ose dëgjimi i radios;
-
Përdorimit të rrjetit kompjuterik ose multimediave interaktive.
Edukimi në konsultën e parë
Në konsultimin e hershëm pacienti me astmë ka nevojë të marrë informacion mbi diagnozën, si dhe informacione të thjeshta në lidhje me llojet e trajtimit që mund të bëhen, po ashtu dhe shpjegime për ndërhyrjet terapeutike specifike që rekomandohen. Për shembull, pacientëve duhet tu demonstrohen aparate të ndryshme për frymëmarrjen dhe ata duhet të marrin vendime se cili është më i përshtatshëm për ta. Pacientët duhen këshilluar për masat e parandalimit dytësor, për shembull, të shmangin tymin e duhanit, alergenët, agjentët sensibilizues profesionalë dhe medikamentet që njihen si acarues të astmës tek ata.
Gjithashtu pacientëve duhet tu jepet mundësia për të shprehur mendimet e tyre në lidhje me astmën dhe trajtimin e saj. Për shumë pacientë është e arsyeshme që te presin:
a. Të mos kenë simptoma gjatë ditës dhe natës;
b. Të mos kenë pengesa në veprimtari, përfshirë sportet;
c. Të kenë funksionin më të mirë të mundshëm të mushkërive (p.sh. PEF).
Gjatë konsultimit fillestar, informacioni verbal për pacientët me nivel të ulët arsimor duhet të pasqyrohet me materiale të shkruara ose të ilustruara paraprakisht, të cilat lidhen me astmën dhe me trajtimin e saj. Pacientët duhet të mesojne ta masin dhe ta regjistrojnë PEF-in. Teknika e nxjerrjes së shpejtë të frymës është e nevojshme për përdorimin e aparatit te matësit të fluksit ekspirator.
Qëllimi kryesor është që pacientëve tu ofrohen teknikat e vetëmenaxhimit. Madje edhe efektet më të mëdha janë arritur kur planet e vetëmenaxhimit jepen me shkrim.
Vetëmenaxhimi dhe skema personale e veprimeve
Pacientët me astmë, të trajnuar për vetëmenaxhimin e mjekimit, e ndryshojnë atë në varësi të gravitetit të astmës, duke u bazuar në udhëzimet e paravendosura. Ky proces përfshin tërësinë e asistencës dhe të trajtimit dhe bashkon udhëzimet e shkruara si për trajtimin mbajtës, ashtu edhe atë të krizës. Ndjekja dhe mbikëqyrja nga ana e personelit mjekësor është një faktor i rëndësishëm në suksesin e kësaj strategjie.
Koncepti i vetëmenaxhimit të drejtuar lindi nga vëzhgimet e klinicistëve, të cilët vunë re se vonesa nga pikasja e acarimit të astmës, deri në fillimin e mjekimit të përshtatshëm, është një faktor i rëndësishëm, i cili ndikon në sëmundshmërinë dhe në vdekshmërinë e astmës. Për më tepër, dihet se shumica e atakeve të astmës shfaqen në komunitet dhe menaxhohen nga pacienti pa një konsultim të menjëhershëm me mjekun.
Vetëmenaxhimi i drejtuar është përfshirë pothuajse në të gjithë udhëzuesit kombëtarë e ndërkombëtarë. Parimet-bazë të vetëmenaxhimit pasqyrohen në tabelën 6-6.
Tabela 6-6. Parimet-bazë të vetëmenaxhimit të drejtuar te të rriturit me astmë
1. Pacientët mësohen ta kombinojnë vlerësimin objektiv të gravitetit të astmës (matja e fluksit ekspirator) me mësimin e interpretimit të simptomave kyçe.
2. Pacientët mësohen se cilin mjekim duhet të përdorin rregullisht dhe cilin mjekim shtesë, kur është e nevojshme, duke përfshirë terapinë me ß2-agonistë sipas nevojës ose, për pacientët me astmë të rëndë, glukokortikoidet sistemike, ß2agonistët inhalatorë me dozë të lartë; terapinë me O2 dhe rishikimin e mjekimit.
3. Vetëvlerësimi dhe vetëmenaxhimi përfshihen në direktivat me shkrim të trajtimit mbajtës dhe të krizës së astmës.
Vlerësimi
Në suksesin e vetëmenaxhimit të drejtuar është thelbësore aftësia e pacientit për ta njohur përkeqësimin e astmës. Pacienti duhet të mësojë ta vlerësojë gravitetin e astmës nëpërmjet interpretimit të shenjave kyçe dhe matjeve të PEF-it. Këshilla e thjeshtë synon që vëmendja mjekësore të drejtohet ndaj simtomave gjatë natës, sidomos zgjimet natën. Nëse shenjat nuk përmirësohen nga rritja e dozës së ß2-agonistëve, atëherë pacienti duhet të drejtohet në qendrat shëndetësore.
Ndjekja dhe kontrolli
Të dhënat në rritje tregojnë se aftësitë vetëmenaxhuese dhe ato të kryerjes së inhalacionit, kërkojnë rifreskim të rregullt nga ana e personelit mjekësor. Për më tepër, një reduktim në terapinë e astmës mund të zbatohet vetëm nëse pacienti vjen rregullisht për ndjekje.
Në konsultime diskutohen pyetjet që ka pacienti, rishikohen problemet në lidhje me astmën dhe mjekimin e saj fillestar. Në konsultimet periodike duhet të kontrollohet teknika e inhalacionit, plani i mjekimit dhe rekomandimet mbi ambientin. Shenjat klinike (kur është e mundur matja e PEF-it në shtëpi) shënohen në ditarin e pacientit dhe kontrollohen rregullisht. Rishikimi i vlerave të PEF-it të matur në shtëpi, si dhe i shenjave klinike është i nevojshëm për tu siguruar se qëllimi i terapisë është realizuar dhe janë bërë përshtatjet e saj të duhura.
Vetëmenaxhimi te fëmijët
Ashtu si të rriturit, edhe fëmijët me astmë (dhe prindërit e tyre) duhet të dinë si ta vetëmenaxhojnë gjendjen e tyre. Ndërhyrjet e thjeshta edukuese te fëmijët e shtruar në spital me astmë, kanë treguar se e kanë ulur ndjeshëm rishtrimin dhe sëmundshmërinë.
Efektiviteti dhe kostoja e tij
Planet e vetëmenaxhimit të drejtuar kanë treguar se çojnë në një reduktim të dukshëm të sëmundshmërisë dhe të nevojës së pacientëve për ndihmë mjekësore. Pacientët me eksperiencë kanë një reduktim që lëviz nga 1/3 deri në 1/2 e shtrimeve në spital, të vizitave në urgjencë, të vizitave të paplanifikuara te specialisti, të mungesës në punë, të zgjimeve gjatë natës.
Planet e vetëmenaxhimit të bazuara në matjet e PEF-it ose simptomat e sëmundjes, kanë efekt të njëjtë, kështu që metoda e vetëmenaxhimit duhet ti përshtatet nivelit të aftësive të pacientit, preferencave dhe kërkesave të tij. Vlerësimi ekonomik i programeve të vetëmenaxhimit të astmës ka treguar se ato kanë kosto pozitive. Raporti i kostos se përfitimit në studimet e botuara është ndërmjet 1:2.5 dhe 1:7.
Situata të veçanta
Individualiteti në terapinë e astmës dhe përdorimi i planeve të vetëmenaxhimit të drejtuar i bën të aftë pacientët që ta përballojnë shumicën e situatave. Por udhëtimet larg shtëpisë mund të kërkojnë plane speciale. Veçanërisht ndihmuese mund të jetë një kontroll te mjeku para fundjavës ose udhëtimeve, gjatë të cilave pacienti mund të këshillohet për sasinë e duhur të medikamenteve të urgjencës dhe atyre të përditshme.
Gratë shtatzana mund të këshillohen rreth mundësive të parandalimit të zhvillimit të astmës te bebet e tyre. Edhe pse nevojiten më shumë kërkime, të dhënat tregojnë se ushqyerja me gji dhe pakësimi i ekspozimit ndaj alergenëve shtëpiakë, veçanërisht pluhurave të shtëpisë, si dhe kufizimi i duhanpirjes nga nëna, mund ta parandalojë shfaqjen e astmës. Kjo mund të jetë veçanërisht e rendësishme për fëmijët me prindër alergjikë, sepse atopia shfaqet në familje dhe është i vetmi faktor i rendësishëm rreziku për zhvillimin e astmës.
Edukimi i të tjerëve
Edukimi i publikut të zakonshëm rreth astmës është i vlefshëm, sepse ai i ndihmon anëtarët e publikut ta njohin astmën dhe ti nxisin të sëmurët me astmë që të marrin ndihmën mjekësore, si dhe të ndjekin programet e menaxhimit të astmës. Ndërgjegjësimi ndaj sëmundjes mund ta pakësojë stigmatizimin dhe të ndihmojë në zgjidhjen e keqkuptimit që mund të ekzistojë rreth saj.
Mësuesve në shkolla (sidomos atyre të edukimit fizik) duhet tu ofrohen këshilla specifike rreth astmës dhe menaxhimit të saj. Shumica e profesioneve janë të përshtatshme për personat me dhe pa astmë, por në disa rrethana të veçanta duhet bërë kujdes.
7 . NJË PROGRAM PËR MENAXHIMIN E ASTMËS
Astma është një sëmundje kronike me ndikim të rëndësishëm mbi të sëmurët, mbi familjet e tyre dhe shoqërinë. Megjithëse nuk ka një mjekim kurues për astmën, menaxhimi i drejtë më shpesh çon në kontrollin e kësaj sëmundjeje.
Qëllimet për një menaxhim të suksesshëm të astmës janë:
-
Arritja dhe mbajtja e kontrollit të simptomave;
-
Parandalimi i acarimeve të astmës;
-
Mbajtja e funksionit pulmonar mundësisht në nivele sa më afër normës;
-
Mbajtja e aktiviteteve në nivele normale, përfshi edhe efortin;
-
Shmangia e efekteve anësore nga barnat që përdoren për mjekimin e astmës;
-
Parandalimi i zhvillimit të obstruksionit bronkial irreversibël;
-
Parandalimi i vdekshmërisë nga astma.
Këto qëllime të terapisë reflektojnë kuptimin e astmës si një sëmundje kronike me zhvillim
progresiv të inflamacionit bronkial kronik, që çon në episode të përsëritura të përgjigjeve bronkiale, si: pakësimi i fluksit të ajrit, prodhimi i mukusit dhe kolla. Forma e rëndë e astmës -më shumë sesa forma e lehtë intermitente-kontrollohet më mirë nga frenimi dhe eliminimi i inflamacionit sesa vetëm nga trajtimi i bronkokonstriksionit dhe simptomave të lidhura me të. Për më tepër, ndërhyrja e hershme në ndalimin e ekspozimit ndaj faktorëve të rrezikut që sensibilizojnë rrugët e ajrit, jep rezultate të mira në kontrollin e sëmundjes.
Menaxhimi i astmës mund të kryhet në mënyra të ndryshme, në varësi të formave të trajtimit të astmës dhe duke marrë parasysh preferencat kulturore e sistemet e ndryshme të kujdesit shëndetësor.
Rekomandimet që kemi adaptuar, i lidhin terapitë racionale me anën shkencore të astmës. Ato janë bazuar më së shumti mbi studime të kontrolluara klinike. Mbi aspektet e menaxhimit klinik të astmës që nuk kanë qenë subjekt i studimeve specifike klinike, rekomandimet janë bazuar në literaturën, përvojën klinike dhe në opinionin e eksperteëe.
-
Menaxhimi i astmës ka gjashtë pjesë të ndërlidhura:
-
Edukimi i pacientëve për të bashkëvepruar në menaxhimin e astmës;
-
Vlerësimi dhe monitorimi i gravitetit të astmës, duke bashkuar simptomat me (sa më shumë të jetë e mundur) matjet e funksionit pulmonar;
-
Shmangia ose kontrolli i faktorëve shpërthyes të astmës;
-
Përcaktimi i plan-trajtimit individual për një menaxhim afatgjatë në fëmijë e të rritur;
-
Përcaktimi i një plani individual për menaxhimin e acarimeve;
-
Sigurimi i një ndjekjeje të rregullt e të kujdesshme.
PJESA 1. EDUKIMI I PACIENTËVE PËR TË BASHKËVEPRUAR NË MENAXHIMIN E ASTMËS
Edukimi i pacientëve është proces i vazhdueshem. Pacienti me astmë dhe familja e tij duhet të trajnohen dhe të informohen në mënyrë që i sëmuri të arrijë një kontroll të suksesshëm të semundjes; ta rregullojë mjekimin sipas nevojes, ne bazë të plani paraprak menaxhimi te hartuar me mjekun si dhe te të ruajë një cilësi të kënaqshme jete . Duhet të vihet theksi në bashkëpunimin mes mjekut, pacientit dhe familjarëve të tij. Kapitulli mbi edukimin dhe perkujdesjen e trajton ne thellësi këtë bashkëpunim të rëndësishëm si dhe elementët themelore të mësimit të menaxhimi të hartuar me mjekun, si dhe menaxhimit të astmës nga pacienti.
PJESA 2: VLERËSIMI DHE MONITORIMI I GRAVITETIT TË ASTMËS, DUKE MATUR SIMPTOMAT KLINIKE DHE FUNKSIONIN PULMONAR
-
Rëndesa (graviteti) e astmës mund të vlerësohet nëpërmjet matjes së simptomave, funksionit pulmonar dhe nevojës për mjekim;
-
Studimet mbi funksionin pulmonar janë themelore për diagnozën dhe vlerësimin e rëndesës së astmës në pacientët me moshë mbi 5 vjeç. Matjet e funksionit pulmonar mund të përdoren gjithashtu për monitorimin e ecurisë së astmës dhe në përgjigjen e pacientëve ndaj terapisë;
-
Monitorimi i fluksit ekspirator maksimal (PEF) është një mjet i rëndësishëm ambulator, në urgjencë, në spital, ndërsa është mjaft i dobishëm edhe në shtëpi.
Vlerësimi i simptomave
Pyetësori i strukturuar, i plotësouar nga pacienti apo nga personeli i kualifikuar shëndetësor, mund të përdoret për ti vlerësuar me pikëzim simptomat e ndryshme të astmës gjatë një periudhe të caktuar kohe. Janë formuluar shumë pyetësorë të tillë, por pak prej tyre janë ende të vlefshëm për vlerësimin e rëndimit të astmës. Megjithatë administrimi i kujdesshëm i pyetësorëve serialë është një metodë e ndjeshme për ta zbuluar rëndimin e astmës. Ndër pyetjet e rëndësishme për monitorimin e pacientëve me astmë dhe përgjigjen ndaj terapisë janë: sa shpesh i përdor ai barnat qetësues dhe sa të shpeshta janë simptomat gjatë natës - kollë, fishkëllimë e gjoksit ose marrje e frymës. Gjithashtu të dobishme janë dhe pyetjet se sa shpesh e kufizon pacienti aktivitetin normal.
Matja e funksionit pulmonar
Vlerësimi i funksionit pulmonar është i rëndësishëm në diagnozën dhe në vlerësimin e rëndesës së astmës në pacientë me moshë mbi 5 vjeç. Matja bën një vlerësim indirekt të hiperreaktivitetit bronkial, që mund të korrespondojë me shkallën e inflamacionit të rrugëve të ajrit.
Matja e funksionit pulmonar mund të përdoret gjithashtu për monitorimin e ecurisë së astmës dhe përgjigjen e pacientëve ndaj terapisë së dhënë. Një faktor kryesor në vonesën e trajtimit të rëndesës së astmës mund të jetë dhe perceptimi i dobët i rëndimit të simptomave si nga pacienti, ashtu dhe mjeku. Kjo mund të çojë në rritjen e sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë nga acarimet e astmës. Pacientët që kanë mundësi ta masin fluksin ekspirator maksimal (PEF) marrin më pak medikamente dhe mjekohen më mirë. Matja e funksionit pulmonar për monitorimin e astmës është analoge dhe ka të njëjtën vlerë si matja e presionit arterial me sfigmomanometër për monitorimin e hipertensionit, apo si matja e glicemisë për monitorimin e diabetit.
Spirometria rekomandohet të kryhet për vlerësimin fillestar të pacientëve të dyshuar për astmë dhe periodikisht për disa pacientë, për të konfirmuar matjet e PEF-it në shtëpi ngavetë pacienti. Është e rëndësishme të vlerësohet rëndesa, shkalla e ndryshueshmërisë së funksionit pulmonar gjatë ditës, monitorimi i përgjigjes ndaj terapisë gjatë një riakitizimi, zbulimi i përkeqësimit asimptomatik të funksionit pulmonar në shtëpi dhe në ambulator, në mënyrë që të ndërhyhet përpara se gjendja të bëhet serioze.
Matja e PEF-it - zakonisht kryhet nga shumica e të rriturve, si dhe në femijët mbi 5 vjeç. Pas një inspirimi të plotë deri në kapacitetin e plotë pulmonar, kryhet një ekspirim i shpejtë maksimal, duke qëndruar në këmbë.
Meqenëse matja e PEF-it varet nga sforcimi, pacienti duhet të mësohet paraprakisht, në mënyrë që ta bëjë sforcimin më të mirë.
Do të ishte ideale matja e PEF-it dy herë në ditë, menjëherë pas ngritjes nga shtrati dhe 10-12 orë më vonë, para dhe pas përdorimit të bronkodilatatorit, nëse ky i fundit është i nevojshëm. Në qoftë se PEF-i matet vetëm një herë në ditë, ai duhet të matet në mëngjes, pas ngritjes nga shtrati dhe para përdorimit të bronkodilatatorit.
Interpretimi i matjeve të PEF-it -Vlerat prediktive (teorike) të PEF-it janë përcaktuar në bazë të peshës, seksit, racës, moshës dhe nga ndryshueshmëria normale ditore (ose cirkadiane). Megjithatë vlerat e PEF-it në shumë pacientë janë më të larta ose më të ulëta sesa vlerat mesatare teorike. Rekomandohet që vlerat e PEF-it për terapinë të bazohen më tepër mbi secilin pacient dhe mbi ndryshueshmërinë ditore, sesa mbi përqindjen e vlerave normale teorike.
Përcaktimi i vlerave personale më të mira dhe ndryshueshmëria minimale ditore janë të rëndësishme kur pacienti ndodhet gjatë një trajtimi efektiv. Vlera më e mirë personale është vlera më e lartë e PEF-it, e fituar atëherë kur pacienti e ka astmën nën kontroll. Nëse vlera më e lartë e pacientit gjatë periudhës së monitorimit është më pak se 80% sesa vlera teorike pas marrjes së bronkodilatatorit (nëse pacienti merr bronkodilatator), ose ndryshueshmëria ditore është më shumë se 20%, përsëri pas marrjes së bronkodilatatorit, indikohet një terapi më agresive dhe një monitorim i vazhdueshëm ditor. Për përcaktimin e PEF-it më të mirë dhe të ndryshueshmërisë minimale ditore, rekomandohet dhënia e një terapie me kortikosteroide orale.
Variabiliteti i PEF-it është një tregues i rëndësishëm për vlerësimin e stabilitetit apo rëndimit të astmës. Një metodë për vlerësimin e variabilitetit ditor të PEF-it është diferenca mes vlerës së mëngjesit para bronkodilatatorit dhe vlerës së një darke më parë pas bronkodilatatorit, e shprehur si përqindje e vlerës mesatare ditore të PEF-it.
Kontrolli i matjes në shtëpi të PEF-it
-Për monitorimin e suksesshëm të PEF-it në shtëpi duhet pasur parasysh:
1) Edukimi i pacientit dhe familjarëve mbi qëllimet dhe teknikat e monitorimit në shtëpi.
-Si dhe kur duhet përdorur matësi i PEF-it;
-Si ti regjistrojë në ditar vlerat e PEF-it;
-Si ti interpretojë matjet;
-Si të veprojë kur ka ndryshime të vlerave të PEF-it;
-Çfarë informacioni duhet ti japë personelit mjekësor (përfshirë dhe urgjencën).
2) Ti shpjegojë se si i përdor personeli shëndetësor të dhënat e PEF-it të matur në shtëpi, për ta zgjedhur dhe për ta vlerësuar trajtimin.
PJESA 3: SHMANGIA E EKSPOZIMIT NDAJ FAKTORËVE TË RREZIKUT
-
Megjithëse mjekimi farmakologjik i astmës është mjaft efikas në kontrollin e simptomave dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës, duhen marrë masa për parandalimin e kësaj sëmundjeje të pashërueshme kronike, që zgjat gjithë jetën.
-
Acarimet e astmës mund të shkaktohen nga faktorët e ndryshëm shpërthyes, si: alergenët, ndotësit, ushqimet dhe barnat. Parandalimi tretësor synon ta reduktojë ekspozimin ndaj këtyre faktorëve acarues për ta përmirësuar kontrollin e astmës dhe për ta pakësuar nevojën për barna.
Janë përshkruar tre nivele të parandalimit (profilaksisë) të sëmundjeve. Për astmën ato jepen kështu:
Parandalimi parësor duhet zbatuar përpara ekspozimit ndaj faktorëve të rrezikut, që dihet se shoqërojnë sëmundjen. Qëllimi është që të parandalojë shpërthimin e sëmundjes në individë të ndjeshëm (me rrezikshmëri). Kjo nuk është ende e mundur te astma. Të dhënat tregojnë se sensibilizimi alergjik është prekursori më i zakonshëm në zhvillimin e astmës. Meqenëse sensibilizimi mund të ndodhë që para lindjes, parandalimit parësor mund të kryhet në periudhën perinatale.
Parandalimi dytësor kryhet pasi ka ndodhur sensibilizimi parësor ndaj alergenit ose alergenëve, por përpara shfaqjes së ndonjë shenjë sëmundjeje. Qëllimi është parandalimi i vendosjes së sëmundjes kronike, persistente në personat e ndjeshëm dhe tek ata që kanë shenjat e para të sëmundjes. Kjo është studiuar kohët e fundit te astma. Parandalimi dytësor i astmës duhet të synohet në mënyrë specifike në vitin e parë ose të dytë të jetës.
Parandalimi tretësor përfshin shmangien ndaj alergenëve dhe nga faktorët shpërthyes jospecifikë, kur astma është shfaqur. Qëllimi synon parandalimin e acarimeve ose të sëmundshmërisë, që do të ndodhte me ekspozimin ndaj alergenëve të njohur ose irrituesve. Megjithatë provat tregojnë se ndryshimet histopatologjike të sëmundjes janë të pranishme që me shfaqjen e simptomave të astmës.
PARANDALIMI PARËSOR
Duke e njohur zhvillimin e përgjigjes imune, del qartë se strategjitë për parandalimin parësor të astmës duhet të përqendrohen në periudhat prenatale e perinatale. Një numër faktorësh ndikojnë në rritjen ose uljen e sensibilizimit fetal ndaj alergenëve, por roli i këtyre faktorëve është kompleks dhe ndryshon me moshën e barrës. Parandalimi parësor i astmës nuk është i mundur ende, por ka të dhëna premtuese.
Masa të mundshme për periudhën prenatale
Në trimestrin e dytë të shtatzanisë, kur maturimi iqelizës T dhe i qelizës antigenparaqitëse është i mjaftueshëm për sensibilizimin e alergenit, rruga më e mundshme e sensibilizimit të fetusit është nëpërmjet zorrës, megjithëse përqendrimi i alergenit, i aftë të penetrojë në amion, mund të jetë i ulët. Në mënyrë paradoksale, ekspozimi ndaj dozave të ulëta të alergenit ka të ngjarë të jetë më sensibilizues sesa ekspozimi ndaj dozave të larta.
Përshkrimi i dietave të eliminimit të alergenëve ushqimorë te gratë me rrezik të lartë gjatë shtatzanisë duket se nuk e pakëson rrezikun që këto gra të lindin fëmijë atopikë. Për më tepër, këto dieta mund të kenë efekte anësore te nëna dhe/ose tek ushqimi i fetusit.
Si përfundim, ende nuk ka rekomandime që mund të aplikohen në periudhën prenatale për parandalimin parësor.
Masa të mundshme për periudhën postnatale
Është rëndësishme që fëmijët ta eliminojnë sa më herët marrjen e alergenëve me ushqim dhe, në veçanti, shmangien e hershme të proteinave të qumështit të lopës dhe ndonjëherë të vezëve, peshkut dhe arrave. Ndjekjet e këtyre dietave nuk kanë qenë bindëse dhe kanë treguar mungesë të efektit në shfaqjet alergjike në traktin respirator. Për më tepër, ka disa evidenca që vënë në dukje se manipulimi i hershëm i dietës mund të çojë në rrezikun e dëmtimit të rritjes. Përshkrimi i një diete me shmangie ndaj antigenit në një grua në laktacion mund ta ulë rrezikun që fëmija i saj të zhvillojë ekzemë atopike, por ende duhen prova më të mira.
Për ta ulur sensibilizimin është rekomanduar shmangia e aeroalergenëve. Lidhja mes nivelit të ekspozimit ndaj alergenit në fëmijë dhe sensibilizimit ndaj alergenëve është treguar në disa studime, por jo në të gjitha. Për më tepër, studime të fundit sugjerojnë që, në kundërshtim me rezultatet e publikuara më parë, shmangia kundrejt ekspozimit të hershëm ndaj maceve nuk e parandalon
alergjinë dhe se kontakti i hershëm me macet e qentë mund ta parandalojë në të vërtetë alergjinë në mënyrë më efikase, sesa shmangia e kontaktit me këto kafshë. .
Këto rezultate të kundërta kanë çuar në sugjerimin që në të ardhmen strategjitë e parandalimit parësor të drejtohen në mënyrë të tillë, që përgjigjja imune tek i porsalinduri të jetë e tipit TH1, pra, joalergjike. Eforti për të vendosur një balancë të drejtë TH1/TH2 mund të arrihet nëpërmjet ekspozimit ndaj dozave të larta të alergenëve dhe nga përdorimi i proteinave të bashkuara, duke kombinuar alergenë dhe citokina të tilla si Il-12. Këto protokolle mbështeten fort nga “hipoteza e higjienës”, e cila bën lidhjen mes eksperiencës së hershme mikrobiale dhe pakësimit të sëmundjeve të mëvonshme alergjike.
Fëmijët me motra e vëllezër më të rritur dhe fëmijët që shkojnë në çerdhe e kopshte, kanë rrezik më të madh për të bërë infeksione. Por, nga ana tjetër, ata janë të mbrojtur ndaj zhvillimit të sëmundjeve alergjike, përfshi edhe astmën. Infeksionet e shpeshta virale në moshën e hershme çojnë në infeksione të traktit të poshtëm respirator dhe mund ta pakësojnë rrezikun për astmë deri në moshën shkollore.
Ekzistojnë disa infeksione të veçanta që mund të kenë një rol nxitës në zhvillimin e astmës. Bronkiolitet nga virusi respirator sinsicial (RSV) janë të lidhura me një prevalencë të lartë të çrregullimeve që shoqërohen me fishkëllima gjoksi, megjithëse ka diskutime nëse kjo është e lidhur me një rrezikshmëri më të lartë të sensibilizimit alergjik. Kështu, mbetet një çështje e pazgjidhur nëse RSV-ja bën të mundur zhvillimin e sëmundjeve alergjike ose nëse personat atopikë janë më të ndjeshëm ndaj bronkioliteve të rënda të shkaktuara nga RSV-ja
Kolonizimi me florë bakteriale mikrobike i zorrës së fëmijës duket se emodifikon sistemin imun. Është parë që në vendet me një prevalencë të ulët të sëmundjeve atopike (p.sh. Estonia) ekzistojnë bakterie intestinale shumë të ndryshme, duke i krahasuar me vendet me prevalencë më të lartë të sëmundjeve atopike (p.sh. Suedia). Sipa një studimi mbi adminstrimin e probiotikëve në periudhën perinatale, shfaqja e dermatitit atopik ishte përgjysmuar në grupin e personave që merrnin probiotikë.
Tymi i duhanit në ambient
Nuk ka diskutim që parandalimi parësor i astmës nuk do të ishte i plotë pa marrë në konsideratë edhe ndikimin e tymit të duhanit të ambientit. Të dhënat që kanë të bëjnë me pirjen e duhanit nga ana e prindërve dhe me sëmundshmërine e traktit të poshtëm respirator te fëmijët e ekspozuar deri në moshën 3 vjeç tregojnë për një lidhje direkte midis këtyre faktorëve. Fëmijët e lindur nga nëna që pijnë duhan kanë 4 herë më shumë mundësi për të zhvilluar sëmundje të mushkërive me fishkëllima gjoksi gjatë vitit të parë të jetës.
Kështu, pirja e duhanit gjatë shtatzanisë ndikon në zhvillimin e mushkërive; ajo e rrit frekuencën e sëmundjeve joalergjike që shoqërohen me fishkëllima gjoksi në moshën e fëmijërisë.
Këto vëzhgime janë të mjaftueshme për të arritur në konkluzionin që ekspozimi ndaj tymit të duhanit të ambientit gjatë periudhës prenatale dhe postnatale ka një ndikim të ndërsjellë në sëmundjet që shoqërohen me fishkëllima gjoksi.
PARANDALIMI DYTËSOR
Mbas sensibilizimit alergjik ekzistojnë mundësi të tjera për të parandaluar zhvillimin e astmës. Studimet kanë treguar që përdorimi i barnave si: antihistaminikët e tipit H1, mund ta paksojnë shfaqjen e gërhitjes në gjoks te femijët që paraqesin fillimisht dermatit atopik. Imunoterapia me alergen specifik mund ta paksojë shfaqjen e astmës.
Studimi i trajtimit parandalues të alergjisë (PAT) po vazhdon dhe rezultatet do të jenë të rëndësishme në përcaktimin e rolit parandalues të imunoterapisë.
Vëzhgimet mbi alergjinë profesionale sugjerojnë që ndërprerja e hershme e ekspozimit ndaj alergenit të akuzuar, kur ka të dhëna që tregojnë për sensibilizim dhe simptoma, çon në zhdukje të plotë të simptomave.
PARANDALIMI TRETËSOR
Acarimet e astmës mund të vijnë nga shkaktarë të ndryshëm, përfshi: alergenët, ndotësit, ushqimet dhe medikamentet. Parandalimi tretësor ka si qëllim ta pakësojë ekspozimin ndaj këtyre shkaktarëve, ta përmirësojë kontrollin e astmës dhe ta reduktojë terapinë e nevojshme.
Shmangia e alergenëve të mjediseve të brendshme
Shfaqja dhe rëndimi i simptomave të astmës janë të lidhura me alergenët e mjedisit. Kështu, masat e kontrollit të mjedisit të brendshëm për reduktimin e ekspozimit ndaj alergenëve duhet të jenë të rëndësishme, megjithëse është e vështirë të arrihet kontrolli i plotë.
Efikasiteti i pakësimit të alergenëve në terapinë e astmës fillimisht është sugjeruar nga studime në të cilat pacientët u larguan nga shtëpitë e tyre në një zonë në lartësi me pak alergenë. Megjithatë sfida e vërtetë do të ishte krijimi i një ambienti me pak alergenë në shtëpitë e pacientëve.
Strategjitë efikase të kontrollit duhet tu përshtaten alergenëve sipas secilit individ dhe duhet të jenë fleksibël për nevojat e individëve. Ndërmjet shumë alergenëve që gjenden në mjediset e banimit, përmendim:
-
akarienet (pluhuri i shtëpisë)
-
alergenët me origjinë shtazore
-
alergenët e furrtares
-
mykrat
Akarienet e pluhurit të shtëpisë
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka njohur alergjinë ndaj akarieneve si një problem shëndetësor universal, megjithatë reduktimi i tyre është i vështirë. Metodat e reduktimit të numrit të tyre përdoren kryesisht në vende të zhvilluara. Nga studimet u vu re që përdorimi i batanijeve e rrit ndjeshëm numrin e akarieneve në shtëpi dhe kjo shoqërohet me shfaqjen e astmës tek adultët. Masa më efikase të shmangies dhe ndoshta më e rëndësishmja është përdorimi i dyshekut, jastëkut dhe e mbulesave të papërshkueshme nga alergenët e akarienëve (Tabela 7-1). Gjithashtu tapetet janë një vëndstrehim i rëndësishëm për kolonizimin me akariene dhe një burim i mundshëm për riinfektimin e shtresave. Po ashtu nivele të larta të lagështirës ndikojne mjaft në rritjen e akarieneve; në këtë rast pakësimi i lagështisë është një metodë kontrolli efektive në disa, por jo në të gjitha studimet.
Tabela 7-1: Masat për pakësimin e ekspozimit ndaj alergenëve të akarieneve të pluhurit të shtëpisë
-
Mbështjellja e dyshekut, jastëkut dhe jorganit me mbulesa të papërshkueshme
-
Larja e të gjitha shtresave çdo javë në temperaturë 55-60ºC
-
Zëvendësimi i tapeteve me linoleum ose me dysheme prej druri
-
Pastrimi i tapeteve me akaricid dhe/ose me acid tanik
-
Minimizimi i mobilimit/zëvendësimit me mobilie prej lëkure
-
Mbajtja mbyllur në dollap e objekteve që mbledhin pluhur
-
Përdorja e thithëses së pluhurave me korrent me filtër special dhe qese me shtresë të dyfishta
-
Zëvendësimi i perdeve me grila metali ose me perde prej materiali që lahet lehtë në temperaturë të lartë
-
Larja me ujë të nxehtë e lodrave të buta
Alergenët me origjinë shtazore Gëzofi, kafshët me gjak të ngrohtë, përfshi brejtësit e vegjël, prodhojnë pushin, urinën dhe pështymën që mund të shkaktojnë sensibilizim alergjik dhe reaksion të mëvonshëm. Shmangia e plotë e alergenëve të kafshëve shtëpiake është e pamundur, meqenëse alergenët janë të kudondodhur dhe mund të gjenden në shumë ambiente jashtë shtëpisë, përfshi: shkollat, transportin publik, madje edhe në ndërtesat pa mace. Heqja e këtyre kafshëve nga shtëpia është e rëndësishme. Por edhe pas heqjes së përhershme të kafshëve do të duhen shumë muaj që të ulen nivelet e depozitave të alergenëve.
Te pacientët që janë alergjikë nga macet e qentë dhe vazhdojnë të mbajnë kafshët e tyre shtëpiake, masat për reduktimin ndaj ekspozimit që duhet të merren parasysh paraqiten në Tabelën 7-2. Megjithatë efikasiteti klinik i këtyre masave mbetet i paprovuar dhe ka shumë të dhëna kundërshtuese.
Tabela 7-2: Masat për reduktimin e ekspozimit ndaj alergenëve shtazorë
-
Mbajtja e kafshëve shtëpiake jashtë zonave të ndenjies dhe dhomave të gjumit
-
Vendosja e pastruesve specialë të ajrit në zonat e qëndrimit dhe në dhomat e gjumit
-
Larja e kafshëve shtëpiake dy herë në javë, megjithëse disa studime tregojnë që kjo është joefikase
-
Pastrimi i plotë i mobilieve dhe mobilimi/ zëvendësimi me mobilie lëkure.
-
Zëvendësimi i tapeteve me linoleum dhe me dysheme druri
-
Përdorimi i fshesës së korrentit me filtër integrues dhe me qese me shtresë të dyfishtë
Alergeni i furrtares Infektimi nga furrtaja është një shkak i rëndësishëm i sensibilizimit alergjik, veçanërisht në shtëpitë brenda qytetit. Masat shmangëse të furrtareve përfshijnë eliminimin e mjediseve të përshtatshme për to, si dhe kontrollin kimik.
Mykrat Numri i sporeve të mykut mund të reduktohet ndjeshëm nëpërmjet heqjes apo pastrimit të objekteve të ngarkuara me myk. Gjithashtu është e rëndësishme mbajtja e një lagështie të ulët (më pak se 50%). Kondicionerët e ajrit apo tharësit e ajrit e paksojne lagështinë dhe filtrojnë një numër të madh sporesh, duke pakësuar ndërkohë dhe numrin e mykut.
Shmangia e alergenëve të ambientit të jashtëm
Alergenët e ambientit të jashtëm të tillë si polenet dhe mykrat, është e pamundur ti shmangësh plotësisht. Ekspozimi mund të reduktohet duke mbyllur dyert e dritaret, duke ndenjur brenda kur numri i poleneve dhe i mykrave është i lartë, si duke përdorur ajër të kondicionuar, kur është e mundur. Shumë vende përdorin radion, televizionin dhe internetin për të siguruar informacionin mbi nivelet e alergenit të ambientit të jashtëm.
Njohja e sensibilitetit të pacientit për alergenët specifikë mund të jetë e dobishme për dhënien e këshillave rreth kohës dhe lokalizimit të udhëtimit të pacientit.
Shmangia e ndotësve të ajrit mjedisit të brendshëm Masa më e rëndësishme për këtë qëllim është shmangia pasive dhe aktive e tymit të duhanit. Thithja pasive rrit rrezikun për sensibilizim alergjik te fëmijët. Ajo rrit gjithashtu shpeshtësinë dhe rëndimin e simptomave të astmës te fëmijët. Prindërit e pacientëve me astmë duhet të këshillohen që të mos tymosin dhe të mos lejojnë të pihet duhan në dhomat e fëmijëve.
Ndotësit kryesorë të ajrit në mjediset e brendshme janë pjesëza të respirueshme: oksidi nitrik, oksidet e nitrogjenit, monoksidi i karbonit, dioksidi i karbonit, dioksidi sulfurik, formaldehida dhe lëndët biologjike, si endotoksina. Hapat kryesorë më të njohur për reduktimin e ekspozimit ndaj pjesëzave të respirueshme janë: shmangia e cigares dhe e llojeve të tjera të duhanit, duke i shkarkuar jashtë të gjitha tymrat dhe duke mbajtur sisteme të përshtatshme ngrohjeje.
Gjithashtu ventilimi i përshtatshëm e pakëson përqendrimin e dioksidit të karbonit.
Shmangia e ndotësve të ajrit të ambientit të jashtëm Shumica e studimeve epidemiologjike tregojnë për një lidhje ndërmjet ndotësve të ajrit (ozoni, oksidi i nitrogjenit, aerozolet acidike dhe substanca të veçanta) dhe simptomave ose acarimeve të astmës. Masat që duhen marrë për pacientët me astmë gjatë episodeve të tilla të ndotjes janë:
-
Shmangia e aktivitetit të panevojshëm fizik. Temperaturat e ftohta dhe lagështia e ulët prekin pacientët me astmë që bëjne efort në kushte të një ndotjeje të lartë të ajrit.
-
Shmangia e tymosjes dhe e dhomave të mbushura me tym duhani.
-
Shmangia e ekspozimit ndaj pluhurit dhe irrituesve të tjerë të tillë si: spraji i flokëve, bojërat, tymi i oxhakut ose tymi i ndonjë zjarri.
-
Shmangia e ekspozimit ndaj personave me infeksione respiratore.
-
Qëndrimi brenda në mjedise të pastra. Mund të jetë i dobishëm kondicionimi i ajrit dhe filtrat e tjerë. Kur është e nevojshme për të dalë jashtë, rekomandohet të jepet një bronkodilatator me veprim të shpejtë për parandalimin e simptomave akute.
-
Largimi i përkohshëm nga zona e ndotur, nëse duket që ndotja e ajrit persiston apo përkeqësohet.
Shmangia e ekspozimit ndaj alergenëve profesionalë Si alergenë profesionalë dhe si faktorë rreziku që mund të shkaktojnë astmë, njihet një numër i madh substancash. Megjithatë, kur pacienti sensibilizohet, niveli i nevojshëm i ekspozimit për induktimin e simptomave mund të jetë shumë i ulët dhe acarimet që rezultojnë, mund të rëndohen.
Përpjekjet për ta pakësuar ekspozimin kanë qenë të sukseshme veçanërisht në mjetet industriale dhe disa sensibilizues të fuqishëm të tillë si: soja, kastori, bathët, janë zëvendësuar me substanca më të pakta sensibilizuese dhe alergjike. Parandalimi i alergjisë nga lateksi është bërë i mundur prej prodhimit të dorezave hipoalergjike, pa pudër dhe me përmbajtje të ulët alergenësh.
Shmangia e alergenëve ushqimorë Alergjia nga ushqimet, si një faktor acarues i astmës, është e rrallë dhe ndodh kryesisht në fëmijët. Shmangia e ushqimit nuk rekomandohet përpara se të bëhet prova e ushqimit. Shmangia e alergenit të ushqimit mund ti reduktojë acarimet e astmës vetëm kur prova rezulton pozitive.
Shpesh sulfitet (konservues në ushqime dhe barna gjenden në ushqime të konservuara si: patatet, karkalecat e detit, frutat e thata, birra dhe vera) janë shkaktare të acarimeve të astmës dhe të vdekjeve të papritura. Ato duhet të shmangen nga pacientë të ndjeshëm.
Prova për substanca të tjera -si tartrazina me ngjyrë të verdhë, benzoati, dhe monoksidi i glutamatit- është vështirë të gjenden dhe roli i tyre në acarimin e astmës ka mundësi të jetë minimal. Përpara vendosjes së një diete specifike duhet të provohet prania e alergjisë.
Shmagia e disa barnave Disa medikamente mund ta acarojnë astmën. Aspirina dhe steroide të tjera antiinflamatore mund të shkaktojnë acarime të rënda dhe duhet të shmangen nga pacientët me histori për reaksion ndaj tyre. Barnat ß-bllokues që merren nga goja ose me pika në sy, mund ta acarojnë bronkospazmën dhe në përgjithësi nuk duhet të përdoren në pacientë me astmë.
Vaksinimi
Pacientët me astmë të mesme ose të rëndë duhet të këshillohen që të marrin çdo vit vaksinën e influencës. Purifikimi i preparateve të vaksinës i ka pakësuar efektet anësore të vaksinës.
PJESA 4-VLERËSIMI, TRAJTIMI DHE MONITORIMI I ASTMËS
-
Qëllimi i trajtimit të astmës, arritja dhe mbajtja nën kontroll e shenjave klinike, mund teë realizohet për shumicën e pacientëve me një terapi farmakologjike specifike e arritur nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë alergolog-pacient.
-
Trajtimi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe duke u bazuar në kontrollin e astmës. Në qoftë se astma nuk është e kontrolluar nga trajtimi i caktuar trajtimi duhet të ngrihet një hap më lart derisa të arrihet kontrolli. Kur kontrolli është ruajtur për të paktën 3 muaj trajtimi mund të ulet një hap me poshtë.
-
Tek pacientët me astmë persistente për herë të pare mjekimi duhet të fillojë tek hapi 2 ose në qoftë se është shumë simptomatik tek Hapi 3.
-
Në çdo hap të mjekimit duhet të jepen dhe mjekime shpetuese me veprim të shpejtë për lehtësimin e simptomave sipas nevojës.
-
Monitorimi i vazhdueshëm është i nevojshem për të mbajtur kontrollin e sëmundjes dhe për të përcakuar dozen më të ulët të mjekimit për të minimizuar koston dhe maksimizuar sigurinë.
Qellimi i trajtimit te asthmes – te arrije dhe mbaje kontrollin klinik - mund te arrihet ne shumicen e pacienteve permes nje cikli te vazhdueshem qe perfshin:
-
Vleresimin e Kontrollit te Asthmes
-
Trajtimin per Arritjen e Kontrollit
-
Monitorimi per Mbajten e Kontrollit
Vleresimi i Kontrollit te Asthmes.
Çdo pacient duhet të vlerësohet për të përcaktuar shkallën e kontrollit të astmës dhe për të përcaktuar shkallën e aderencës ndaj mjekimit dhe nivelin e kontrollit të astmës. Një skemë e thjeshtuar për njohjen e kontrollit të astmes është paraqitur në figurën 1.
Figura 1. Nivelet e Kontrollit te Asthmes
|
Tiparet
|
E Kontrolluar
(Te gjitha te meposhtmet)
|
Pjeserisht e Kontrolluar
(Ndonje prej tipareve e shfaqur ne ndonje jave)
|
E Pakontrolluar
|
Simptomat ditore
|
dy ose me pak/jave
|
Me shume se dy here/jave
|
Tre ose me shume tipare te Astmes se Pakontrolluar qe shfaqen ne ndonje jave
|
Kufizimet e aktiviteteve
|
Asnje
|
Cdo
|
Simptomat e nates/zgjimet
|
Asnje
|
Cdo
|
Nevoja per terapi emergjence
|
dy ose me pak/javë
|
Me shume se dy here/jave
|
Funksioni Pulmonar(PEF ose FEV1) ‡
|
Normal
|
<80% te parashikuar ose vleres personale me te mire(nese eshte e ditur)
|
Acarimet
|
Asnje
|
Nje ose me teper/vit *
|
Nje ne cdo jave†
| Dostları ilə paylaş: |